Inter “mbretëresha” e pagave, zikaltrit në krye të shpenzimeve për rrogat e lojtarëve, Juve zbret nga “froni”

18 hours ago 27

Për herë të parë që prej sezonit 2012-2013, Juventus nuk është më klubi që mban fronin e shpenzimeve më të mëdha për rrogat e lojtarëve. Tani komandon ekipi kampion i Italisë.

Inter harxhon 142 milionë euro bruto në vit për të paguar lojtarët e vet.

Pavarësisht ndryshimit të pronësisë dhe problemeve të ish-presidentit Zhang në shlyerjen e borxheve për të mbajtur aksionet e klubit, Zikaltërit rritën më tej pagat e lojtarëve gjatë këtij viti.

Rinovimi me disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, dha efekt ne buxhetin vjetor të rrogave të futbollistëve.

123.6 milionë euro ishte buxheti i pagave të vitit të kaluar, 142 është këtë vit.

Natyrisht diferenca me 18 milion euro plus justifikohet me rezultatet sportive, shpalljen e skuadrës kampion të Italisë dhe fitimin e superkupës në muajin janar. Ndryshe ka ndodhur me Juventusin. Revolucioni në organikë, largimi i Alegrit që paguhej dyfishin e Tiago Motes, apo edhe pastrimi i ndjeshëm i organikës, ka dhënë efekt edhe tek ulja e buxhetit vjetor të pagave.

Vitin e kaluar Bardhezinjtë ishin të parët në harxhim me 125 mln euro, tani kanë zbritur të dytët me 114 milion euro bruto.

Kemi të bëjmë më një revolucion të jashtëzakonshëm nëse e llogarisim me pak vite më parë në kohën e pandemisë kur me Ronaldon në organikë, Juventus kishte 259 milion euro buxhet vjetor pagash. Në podiumin e pagave është Milani, pastaj ndjekin Roma, Napoli e Lacio.

Skuadra me buxhetin më të vogël në serie A të pagave vjetore është Empoli me më pak se 23 mln euro, ose thënë ndryshe paga vjetore bruto e Dushan Vlahovic./vizionplus.tv

Read Entire Article