Donald Trump dha intervistën e tij të parë pas atentatit ndaj tij. Ish-presidenti dhe kandidati aktual foli për New York Post dhe Washington Examiner nga avioni i tij privat, rrugës për në Milëaukee, ku pritet të flasë në një konventë republikane.
“Duhet të kisha vdekur,” tha Trump, duke kujtuar këtë “përvojë veçanërisht surreale”, siç tha ai. “Mjeku në spital tha se ai kurrë nuk kishte parë diçka të tillë më parë. Ai tha se ishte një mrekulli”, shtoi kandidati për president i cili gjatë intervistës kishte veshur një fashë të bardhë që mbulonte veshin e djathtë.
Vihet re se bashkëpunëtorët e tij kanë kërkuar që nga intervista të mos bëhet asnjë fotografi.
“Unë nuk duhet të jem këtu, duhet të isha i vdekur ”, deklaroi ai në një moment tjetër.
Sipas Trump, nëse ai nuk do ta kthente kokën pak në të djathtë për të lexuar një diagram, do të ishte qëlluar për vdekje.
Trump theksoi se ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret e larguan nga skena, ai donte të vazhdonte të fliste me mbështetësit e tij.
Ai iu referua gjithashtu fotos që e tregonte duke ngritur grushtin dhe duke thënë fjalën “Luftoni” tre herë, ndërsa agjentët u përpoqën ta largonin nga skena dhe të futeshin në një fuoristradë të blinduar.
“Shumë thonë se është fotografia më ikonike që kanë parë ndonjëherë”, tha Trump. “Kanë të drejtë, edhe pse nuk kam vdekur. Zakonisht duhet të jesh i vdekur për të pasur një foto ikonike”.
Trump tha gjithashtu se ka në plan të marrë pjesë në funeralin e zjarrfikësit që vdiq nga të shtënat.
Së fundi, ai zbuloi se ka ndryshuar shumë nga fjalimi i tij që do të mbajë në Milëaukee. “ Tani do të kem një fjalim që do të jetë më unifikues ”, tha ai./vizionplus.tv