Investime për studentët e mjekësisë, dy laboratorë të rinj për kërkimin shkencor

3 months ago 21
Reklamë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte e pranishme në  Universitetin e Mjekësisë Tiranë për përurimin e dy investimeve të rëndësishme në Laboratorët e teknologjisë së lartë.

Këto projekte synojnë të përmirësojnë infrastrukturën didaktike, të rrisin nivelin e mësimdhënies dhe të plotësojnë nevojat e kërkimit shkencor në fushat e Anatomisë së Aplikuar dhe Klinike, si dhe në Histologji-Embrionologji.

“Për ne është shumë i rëndësishëm zhvillimi i aspekteve që lidhen me infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe infrastrukturën didaktike, si dhe cilësinë e mësimdhënies. Sfida jonë është të zgjerojmë kapacitetet, duke mbajtur premtimin për 500 kuota të reja për studentët që do të studiojnë në Universitetin e Mjekësisë me standardet më të larta. Do të kemi laboratorë të rinj të financuar nga fondet e Kërkimit Shkencor. Për vitin 2024-2025, janë tre projekte të reja për Universitetin e Mjekësisë, të cilat padyshim do të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe asaj didaktike në formatin praktik”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha gjithashtu se investimet për zhvillimin e infrastrukturës së kërkimit shkencor janë në fokus të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Vetëm për Universitetin e Mjekësisë, për infrastrukturën dhe për projektet, janë mbi 500 mijë euro të cilat do të disbursohen këtë vit në funksion të zhvillimit të mjekësisë dhe shkencës në vend. Të gjitha këto janë të lidhura me njëra-tjetrën, por mbi të gjitha, janë mundësi për studentët për të qenë më afër ëndrrës së tyre për t’u bërë mjekët e ardhshëm dhe për të pasur aftësi të lidhura me aspektet globale dhe digjitale”, tha ministrja.

Ky investim do t’i shërbejë rreth 1300 studentëve të vitit të parë dhe të dytë të programit të studimit Mjekësi e Përgjithshme, si dhe studentëve të Farmacisë, Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Dentare. Përveç kësaj, do të përfitojnë edhe rreth 1,000 specializantë në 34 programe studimi specializimesh afatgjata./vizionplus.tv

Read Entire Article