Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane paralajmëroi se Irani nuk do të hezitojë t’i përgjigjet çdo sulmi amerikan në tokën e tij. Kjo deklaratë erdhi pas një paralajmërimi të Shtëpisë së Bardhë ku thuhej se SHBA nuk përjashton mundësinë e goditjes direkte të Iranit.
“Republika Islamike nuk do të hezitojë të përdorë aftësitë e saj për të dhënë një përgjigje që do t’i bëjë agresorët të pendohen,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane. “Të tjerët e kanë parë tashmë këtë aftësi dhe këtë fuqi dhe do ta llogarisin atë njëqind herë para çdo veprimi të keq”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara të premten kryen një seri sulmesh kundër forcave elitare iraniane dhe grupeve të armatosura pro-iraniane në Siri dhe Irak, në përgjigje të vrasjes së tre ushtarëve amerikanë në Jordani më 28 janar.
Të shtunën, SHBA dhe Britania njoftuan se kishin bombarduar dhjetëra objektiva në Jemen si hakmarrje për sulmet e përsëritura nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kundër anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Irani dënoi sulmet në Irak, Jemen dhe Siri, duke i quajtur ato të paligjshme dhe të rrezikshme./vizionplus.tv/