Izrael-Liban, tensioni në kulm, autoritetet në Tel Aviv nuk përjashtojnë mundësinë e sulmit ushtarak

4 months ago 30

Tensionet mes Izraelit dhe Libanit kanë arritur kulmin, pavarësisht përpjekjeve të SHBA për të shmangur çdo përshkallëzim.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz ka deklaruar se vendimi për të nisur një operacion ushtarak gjithëpërfshirës në fqinjin verior nuk është larg.

“Jemi shumë afër momentit për të vendosur ndryshimin e  rregullave të lojës kundër Hezbollahut dhe Libanit. Një luftë gjithëpërfshirëse do të shkatërronte Hezbollahun dhe do të godiste rëndë Libanin. Shteti i izraelit do të paguajë gjithashtu një çmim por të fortë dhe të bashkuar ne do të rivendosim sigurinë për banorët e veriut”, deklaroi Katz.

Ushtria izraelite gjithashtu ka thënë se planet operative për një ofensivë në Liban janë miratuar dhe se janë shtuar trupat në terren.

Përshkallëzimi vjen pas një video kërcënuese të publikuar nga Hezbollahu ku shfaqen pamje me dron nga qyteti verior izraelit Haifa.

Vrasja e një zyrtari të lartë të Hezbollahut nga një sulm izraelit gjithashtu ka shtuar më shumë tensionet mes dy vendeve që nisën menjëherë pas sulmit të Hamasit në Izrael në 7 tetor.

Aleati më i madh i izraelit, SHBA ka kërkuar shmangien me çdo kusht të ndonjë përshkallëzimi të mundshëm në veri të vendit.

I dërguari amerikan Amos Hochstein ndodhet aktualisht në lindjen e mesme për takime në të dy vendet me qëllim qetësimin e situatës./vizionplus.tv

Read Entire Article