Kaos në parlament, Gjonaj: Opozita ka treguar që nuk e do procesin e integrimit evropian

3 days ago 27

Rikthimi i normalitetit në parlament duket i pamundur sa kohë që opozita ka vendosur të radikalizojë aksionin e saj. Por, përtej kaosit që shoqëron seancat shumica mbetet e fokusuar tek integrimi që tashmë ka hyrë në një gazë të re pas hapjes së grup-kapitujve themelore.

Për situatën në parlament dhe integrimin, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Pranvera Borakaj, ka folur zëvendës kryetarja e Komisionit të Integrimit, Etilda Gjonaj.

Gjonaj deklaroi se kaosi i shkaktuar nga PD-ja tregon se opozita nuk e do procesin e integrimit evropian. Zëvendës kryetarja e Komisionit të Integrimit shtoi gjithashtu se me ecurinë e procesit deri më tani, afati që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së para vitit 2030 është i arritshëm.

-Duket sikur situata në parlament është jo normale dhe pengon zhvillimet në Kuvend. Sa e gatshme është Partia Socialiste që përballë kësaj sjellje të opozitës të lëshojë pe për të sjellë normalitet në sallën e Kuvendit?

Gjonaj: Vetë vendimi i Brukselit për hapjen e negociatave sa i përket grup-kapitujve themelore është një nga vendimet më të rëndësishme. Nga ana tjetër opozita në mënyrë të vazhdueshme ka treguar që nuk e do procesin e integrimit evropian. Mund të bëjnë deklarata gjithë ditën, por me mungesën në komisione, në parlament e bëjnë të pamundur zhvillim e një situate normale. Ne ju kemi bërë thirrje për të qenë pjesë e bisedimeve të rëndësishme dhe vendimeve që ti dakordësojmë së bashku.

-Mazhoranca ka vendosur një synim që është Shqipëria në BE brenda 2030, sa e mundur është kjo dhe faza që ne kemi hyrë është një proces vetëm teknik apo edhe situata politike, krimi korrupsioni ndikojnë për të bërë të mundur synim e Shqipërisë në BE?

Gjonaj: Ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe afatin për anëtarësimin në BE brenda 2030 nuk e dhamë ne të parë nga hiçi. Ne me ecurinë e procesit, mendojmë që është një afat i arritshëm, patjetër me shumë sfida përpara, reforma që kërkojnë shumë fokus dhe prioritet politik dhe angazhim të madh të gjithë institucioneve dhe shoqërisë. Ne besojmë që ky vendim dhe aspiratat për ta bërë Shqipërinë anëtare në BE është një vendim racional. /vizionplus.tv

Read Entire Article