Katari po tërhiqet nga ndërmjetësimi për Gazën, derisa Hamasi dhe Izraeli të tregojnë një vullnet të vërtetë për të dialoguar dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike, sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare.
Pasi Hamasi refuzoi propozimin e fundit për të arritur një marrëveshje pengjesh, SHBA i tha Katarit se prania e Hamasit në Doha nuk është më e pranueshme dhe i kërkuan dëbimin e grupin militant palestinez, raportoi rrjeti amerikan CNN.
Kërkesa e SHBA-së është bërë gati dhjetë ditë më parë dhe duket se është pranuar nga Katari.
Sipas CNN, që citon zyrtarë amerikanë dhe të Dohas, Katari ka rënë dakord të dëbojë Hamasin nga vendi, pas disa muajsh përpjekjesh të dështuara për të bindur grupin – udhëheqësit e lartë të të cilit banojnë në kryeqytetin e Katarit, Doha – të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në luftën Izrael-Hamas.
“Pas refuzimit të propozimeve të përsëritura për lirimin e pengjeve, udhëheqësit e Hamasit nuk duhet të jenë më të mirëpritur në kryeqytetet e asnjë partneri amerikan”, tha një zyrtar i lartë i administratës për CNN.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i Hamasit këmbënguli më herët se lajmet se Katari po pranon të dëbojë zyrtarët e grupit nga Doha janë “të pabaza” dhe një “taktikë presioni”, duke shtuar se pretendime të ngjashme kanë qarkulluar në të kaluarën pa u vërtetuar. /vizionplus.tv