“Do i tregojmë edhe ne botës arsenalin tonë të armëve”. Ky ishte paralajmërimi i fortë i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Këto komente erdhën pas kërcënimeve në rritje që vijnë nga Rusia dhe Kina, dy shtete që po forcojnë aleancat e tyre ushtarake.
Në një intervistë për mediat britanike, Stoltenberg ka deklaruar se ka pasur konsultime të drejtpërdrejta mes anëtarëve të NATO-s për tërheqjen e raketave nga depot dhe vendosjen e tyre në gatishmëri.
“Unë nuk do të hyj në detaje operacionale se sa koka bërthamore duhet të jenë funksionale dhe cilat duhet të ruhen, por ne duhet të konsultohemi për këto çështje: kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë,” tha Stoltenberg për gazetën britanike.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës paralajmëroi se Kina në veçanti po investon masivisht në armët moderne, duke përfshirë arsenalin e saj atomik./vizionplus.tv