Kërkohet vetting për avokatët, Vishaj: 3 mijë mbrojtës ligjorë kanë qenë të dënuar ose të lidhur me krimin

5 months ago 22

Nga Blerina Cene 

Rreth tre mijë avokatë janë bërë palë me krimin ose janë përfshirë direkt në kryerjen e një vepre penale. Ky është pretendimi i penalistit Saimir Vishaj, ndër të parët që ka propozuar proces vetting-u brenda radhëve të avokatisë, e që tashmë është bërë fakt edhe nga Dhoma Kombëtare.

“Në radhët tona kanë penetruar avokatë, të cilët janë dënuar për trafik droge, për vrasje, si në Shqipëri, po sidomos në Itali, Belgjikë, të cilët janë pajisur me licenca avokatie. Ne dikur i kemi pasur klientë, sot i kemi avokatë dhe na duhet një vetting në radhët tona. Ka ardhur momenti që licencën e avokatit të mos e ketë kushdo. Si numër avokatët janë rreth 15 mijë, ndërkohë që realisht janë 2 apo 3 mijë veta, që duhen të shikohen nëse kanë numër NIPT-i apo jo, se mund të jenë duke punuar në të zezë”, tha Vishaj.  

Vishaj thotë se profesioni i mbrojtësit ligjor është përlyer nga avokatë që dikur janë dënuar.

“Nuk mundemi ne të ulemi në bankën e të akuzuarve si kolegë me këta avokatë, të cilët kanë qenë mbrapa hekurave ose të dënuar. Kjo i sjell një dëm të rëndë sistemit të drejtësisë dhe një hije të shëmtuar imazhit të avokatisë. Mua më vjen turp kur shkëmbehem në sallat e gjyqeve me këta avokatë, të cilët dihen publikisht se kush janë, dihen publikisht se kush janë, por deri tani nuk merret asnjë masë. Është shumë e rëndë të kesh në krah, sidomos në çështje me të bashkëpandehur, çështje pronësie, të cilët na kanë fëlliqur emrin duke na quajtur sekserë përballë gjykatës, sepse ai që është mësuar me vrasje, me gjobëvënie e të tjerë, ai prevalon…”, deklaroi avokati.

Se si do funksionojë vetting-u e cilat vepra penale do të shërbëjnë si shkak për djegien e licencës, Vishaj përgjigjet: Nga ana e kryetarit të dhomës së avokatëve të Shqipërisë, u ngrit një grup pune nga ana e kryetarëve të Dhomës Vendore, të cilët me anë të një platforme, do të verifikojnë dhe do të kenë të gjitha mundësitë, që të gjithë pretendimet nga këta avokatë që janë dënuar për korrupsion, për vrasje, për vjedhje, vepra penale të rënda që ligji i përjashton, do t’u hiqet licenca nga ana e avokatëve të Shqipërisë. Aktualisht të gjithë kryetarët e dhomës vendore janë pjesë e kësaj strukture, e janë ata që do të merren me koordinimin e këshillit të dhomës së avokatisë dhe verifikimit të të gjitha kushteve që kemi ngritur, deri në krijimin e të statusi të veçantë të një avokati.

Për ta kryer vetting-un grupi i punës do të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që të verifikohet çdonjëri nga avokatët me të shkuar të errët kriminale./vizionplus.tv

Read Entire Article