Qytetin e Elbasanit jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe në ditë të zakonshme e gjen të mbushur me turistë. Edhe pse zakonisht është ndalesë një ditore, turistët shfaqin interes për historinë dhe kulturën.
Së fundmi qytetin e kanë vizituar edhe një grup kinezësh. Lidhja që ky qytet ka me Kinën daton që nga koha e ndërtimit të ish-kombinatit metalurgjik nga inxhinierët kinezë.
“Është hera ime e parë që vij në Elbasan. Më pëlqen shumë kalaja. Besoj se është një kala që ka shumë vite mbi shpinë. Po ashtu rrugës pashë shumë monumente që do të thotë ana artistike është e zhvilluar. Sapo hymë në Elbasan më bëri përshtypje gjelbërimi dhe që është një vend i pastër dhe i mirë për të jetuar. Sa për njerëzit më duken shumë miqësorë.”
“Elbasani më duket qytet i vjetër antik. Kam ardhur edhe herë të tjera. Më pëlqen shumë ushqimi dhe njerëzit janë shumë të mirë, mikpritës. Di që këtu ka shumë artizanë. Duhet bërë më shumë marketing në internet që turistët ta vizitojnë”.
Natyra e bukur shqiptare dhe mikpritja janë dy përshtypjet që të huajt marrin me vete teksa largohen nga vendi ynë./vizionplus.tv