I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof udhëtoi ditën e sotme drejt Serbisë. Pas mbërritjes në Beograd ai u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç ku ky i fundit u ankua për situatën në Kosovë.
Këtë javë pritet që i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor të vizitojë Kosovën, ku do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të Qeverisë, shoqërinë civile dhe biznese.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi ishte analisti Blerim Burjani. Zoti Burjani e cilësoi pozitiv faktin që SHBA ka dërguar një emisar të ri dhe tha se duhet pritur se çfarë strategjie do të ndjekë, në mënyrë që të vihet në zbatim marrëveshja e Ohrit.
-SHBA ka dërguar një emisar të ri në Ballkan. Është i katërti emisar amerikan në 10 vitet e funti qëkur zhvillohen bisedimet për dialog mes Kosovës dhe Beogradit.
Burjani: Është pozitive, por duhet të shohim se çfarë strategjie do të aplikojë dhe cili do të jetë raporti i BE-së me përfaqësuesin e ri amerikan. A do të ketë rol Amerika në procesin e arritjes së zbatimit të marrëveshjs së Ohrit apo do të ketë probleme sërish me BE, sepse BE është përgjegjësja kryesore për dialog. Deri më tani nuk ka reflektuar pozitivisht as Lajçak. Ky dialog është bërë vetëm figurativisht dhe nuk po shohim një rrugë tjetër të zgjidhjes se si do të sillen SHBA dhe BE.
-Në takimin mes emisarin amerikan Vuçiç u ankua se serbët në Kosovë vuajnë shumë, jetojnë të diskriminuar. A ka ndonjë bazë kjo deklaratë?
Burjani: Nuk ka bazë të fuqishme as në kuptimin ligjor sepse serbët jetojnë në Kosovë dhe duhet t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovës. Kush është i zoti i shtëpisë në veri, a është Kosova apo është Serbia? Kosova ka sovranitetin e plotë në Veri. Vuçiç ka dëshirë që të kthejë strukturat paralele të Serbisë dhe këto struktura nuk mund të kthehen në asnjë mënyrë. Nuk ka kthim prapa. Kurti duhet të punojë drejtpërdrejt me BE dhe SHBA për integrimin e serbëve në institucione.
-Kosova shpalli heqjen e embargos për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, një masë që kishte dy vjet që ishte në fuqi. A po duket se po e ul ky veprim i qeverisë së Kosovës tensionin në raportet dy palëshe?
Burjani: Natyrisht se kjo ul tensionet mes dy vendeve. Kjo ka ndodhur nga presioni i ndërkombëtarëve që i është bërë Kurtit. Kurti është detyruar ta bëjë këtë sepse ndryshe nuk kishte për ta bërë.
Kasanof mori detyrën e tij pas përfundimit të mandatit të paraardhësit Gabriel Escobar, i cili zhvilloi shumë raunde bisedimesh me përfaqësuesit e dy vendeve, por nuk arriti t’i bindte të nënshkruanin një marrveshje. Tani mbetet për tu parë se çfarë strategjie do të ndjekë emisari i ri i SHBA-së për të arritur këtë qëllim./vizionplus.tv