Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Gjermani, ka vizituar zyrat e Tik Tok me qendër në Mynih, ku është takuar me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram.
Me anë të një postimi në Facebook, Rama shkruan se në qendër të bisedës kanë qenë ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku për shkak të përdorimit të Tik-Tok janë shkaktuar disa drama sociale.
Ai tha se u diskutua nevoja për rritjen e vigjilencës kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
Postimi i Ramës:
📍Mynih – Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre🤝