Tre ndeshje radhazi në tribunë për Armando Brojën, që u transferua te Fulhami gjatë merkatos së dimrit për më shumë hapësira, por deri tani ka luajtur me pikatore.
Megjithatë për të sqaruar më mirë situatën e Brojës ka menduar trajneri i Fulham, Marco Silva, i cili ndër të tjera ka rrëfyer edhe simpatinë e madhe që ka për sulmuesin shqiptar, të cilin e ka ndjekur prej kohësh.
“Broja është te Fulham prej këmbënguljes time. Unë e njoh dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë për aftësitë që ka, ndaj e kërkova edhe në verë si zëvendësues të Mitrovic, kur ai u largua. Erdhi në shkurt, kur ne ishim në emergjencë në sulm, por tashmë i kemi rikuperuar të gjithë. Unë luaj me një qendërsulmues dhe një tjetër e mbaj në stol, ndaj këto kohë Armando nuk është grumbulluar”, u shpreh Silva.
Trajneri portugez ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të sulmuesit kuqezi jo vetëm në stol, por edhe në fushë, teksa ndër të tjera ka pranuar se do të donte që Broja të transferohej përfundimisht te Fulham në verë.
“Situata me sulmuesit është e tillë dhe ai nuk duhet të dekurajohet, pasi do të ketë mundësitë e tij. Ne kemi pasur Raul Jimenez që shënoi vetëm dy gola për 16 muaj, por rigjeti formën e tij më të mirë. Muniz nuk kishte shënuar para se të vijë Broja, por tashmë është sulmuesi më të formë në Premier League. Gjërat në futboll ndryshojnë shumë shpejt, ndaj Broja duhet të jetë besimplotë. Nëse do të provojmë ta blejmë në verë? Unë e kam dhënë mendimin tim, por nuk mund të flasim më shumë, pasi ai është në pronësi të Chelsea-t”, theksoi trajneri portugez.