Udhëheqësit e Hamasit kanë shpenzuar vite duke hartuar planet e tyre për të zhvilluar një luftë të fshehtë në Gaza.
Dokumentet nga fushat e betejës zbulojnë se si ata ishin përgatitur për mbërritjen e forcave të armatosura izraelite në tunelet nën enklavën bregdetare palestineze.
Sipas New York Times, Hamasi kishte përgatitur manualin e tij për luftime nëntokësore, në të cilin përshkruante në detaje se si duhet të lëvizin në errësirë dhe të përdorin armë automatike në tunelet që kalojnë nën Rripin e Gazës.
Në të njëjtin kontekst, luftëtarët e Hamasit kishin përcaktuar madje, sa kohë u duhej të kalonin nga një pikë në tjetrën, brenda rrjetit të tuneleve që tani njihet edhe si “Metroja e Gazës”.
Manuali në fjalë u kap nga forcat izraelite në zonën Zeitoun në jug të Gazës.
Sipas New York Times, e cila pati mundësinë të studionte përmbajtjen e saj, ky ishte rezultat i një përpjekjeje shumëvjeçare të Hamasit, shumë kohë përpara sulmit të 7 tetorit dhe luftës aktuale me Izraelin, për të ndërtuar një operacion ushtarak të nëndheshëm që mund të përballojë sulmet tokësore nga forcat izraelite.
Vetëm një vit para sulmeve të 7 tetorit 2023, Yahya Sinwar, udhëheqësi i Hamasit në Rripin e Gazës, thuhet se miratoi shpenzimin e 225,000 dollarëve për instalimin e dyerve të blinduara në tunelet nën Gaza.
Komandantët e Hamasit kishin ekzaminuar tunelet nën Gaza dhe identifikuan ato pika që ata mendonin se kishin nevojë për më shumë fortifikim.
Sipas vetë Yahya Sinwar në një letër drejtuar Mohammed Daif, nevoja për armaturë ishte më e madhe në Gazën veriore dhe Khan Yunis.
Ushtria izraelite vlerëson se kostoja e ndërtimit të një tuneli rreth 800 metra të gjatë, ishte rreth 300,000 dollarë për Hamasin.
Ekspertët argumentojnë tani, pas 333 ditësh lufte, se pa këto tunele nën Gaza, Hamasi nuk do të kishte qenë në gjendje t’i rezistonte goditjeve të izraelitëve.
Zyrtarët izraelitë kanë shpenzuar vite duke kërkuar dhe shkatërruar tunele që Hamasi mund t’i përdorte për të hyrë fshehurazi në Izrael.
Megjithatë, rrjeti nëntokësor brenda Gazës nuk ishte një prioritet për ta, tha një zyrtar i lartë izraelit për New York Times, sepse një operacion i gjerë tokësor izraelit atje nuk konsiderohej i mundshëm.
Megjithatë, siç rezulton tani, Hamasi kaloi vite duke u përgatitur pikërisht për një eventualitet të tillë.
Në manualin e luftimeve nëntokësore të Hamasit gjen gjithashtu udhëzime se si të kamuflohen hyrjet që të çojnë në tunele, si t’i lokalizojnë ato me busull ose GPS dhe si të futen shpejt në to.
“Ndërsa ai lëviz në errësirë brenda tunelit, luftëtarit i duhen syze për të parë natën”, thuhet në dokumentin, i cili është shkruar në arabisht.
Armët duhet të jenë automatike dhe luftëtarët që synojnë të qëllojnë duhet t’i mbajnë ato në krahë. Ata që nuk kanë syze për të parë natën duhet të lëvizin verbërisht në errësirë, me njërën dorë në mur dhe tjetrën në pjesën e pasme të luftëtarit që përparon.
Zyrtarët izraelitë e dinin, para luftës, se Hamasi kishte një rrjet tunelesh në Gaza, por doli të ishte më i sofistikuar dhe më i gjerë se sa e imagjinonin.
Në fillim të luftës vlerësohej se këto tunele kishin një gjatësi totale rreth 400 kilometra. Tani, ata besojnë se gjatësia e tyre totale mund të jetë dyfishi i asaj, dhe pas 330 ditësh lufte ata vazhdojnë të zbulojnë tunele të reja.
Vetë Yahya Sinwar besohet se fshihet në këto tunele, disa prej të cilëve strehojnë qendra komandimi dhe telekomunikacioni të mundësuar nga panele diellore të montuara në çatitë e shtëpive private.
Të dhënat tregojnë, megjithatë, se të dyja palët ndërluftuese duhej të rregullonin taktikat e tyre gjatë luftës.
Izraeli, nga ana e tij, i nënvlerësoi tunelet, ndërsa Hamasi u përgatit për beteja nëntokësore që nuk u zhvilluan.
Izraeli hezitoi, veçanërisht në fillim të luftës, të dërgonte trupa në tunele, ndërsa Hamasi ngriti prita ose pranë hyrjeve të tunelit, duke shpërthyer bomba nga larg, ose brenda tuneleve, duke shkaktuar shembje që ua bllokuan rrugën izraelitëve.
Për të shkatërruar një tunel, ushtarëve izraelitë u duhen nga rreth dhjetë orë deri në disa javë dhe nga dhjetëra në mijëra ton eksploziv. Vitin e kaluar, ushtria izraelite zbuloi një tunel që ishte rreth 76 metra i thellë. Për ta shkatërruar atë, u deshën muaj.
Një zyrtar ushtarak izraelit i tha NY Times se mund të duhen vite për të shkatërruar të gjithë rrjetin nëntokësor të tuneleve në Rripin e Gazës. Duhet të theksohet se shumë prej këtyre tuneleve ndodhen nën zona me popullsi të dendur./vizionplus.tv