Presidenti amerikan, Joe Biden në urimin e Ramazanit për besmimtarët mysliman u shpreh se gjatë këtij muaji të shenjtë do të jemi të gjithë me mendje nga kriza humanitare në Gaza.
“Ndërsa myslimanët mblidhen anembanë botës gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme për të prishur agjërimin e tyre, vuajtja e popullit palestinez do të jetë në vëmendjen e shumë njerëzve. Ajo është para gjë që më vjen mua në mendje. Ramazani këtë vit vjen në një moment dhimbjeje të madhe. Lufta në Gaza i ka shkaktuar vuajtje të tmerrshme popullit palestinez. Më shumë se 30,000 palestinezë janë vrarë, shumica prej tyre civilë, duke përfshirë mijëra fëmijë.”- tha Biden.
Sipas Biden, Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për të marrë më shumë ndihmë humanitare në Gaza” dhe “po punojnë pa pushim për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të paktën gjashtë javë si pjesë e një marrëveshjeje që liron pengjet”.
Vlen të theksohet se, një delegacion i Hamasit u largua nga Kajro më 7 mars pas ditëve të bisedimeve pa një përparim të dukshëm. Izraeli ka paralajmëruar se nëse pengjet e mbajtura në Gaza nuk janë në shtëpi deri në Ramazan, ata do të nisin një ofensivë ushtarake në Rafah, ku janë strehuar më shumë se një milion njerëz të zhvendosur. Megjithatë, administrata Biden nuk po parashikon që forcat izraelite të zgjerojnë menjëherë operacionet e tyre ushtarake në qytetin jugor të Gazës.
Top Channel