Manjola Hafizi, fermerja që la Bankën për serën me mjedra

10 months ago 17

Në Shqipëri fuqizimi ekonomik i grave vlerësohet si element kryesor i rritjes ekonomike dhe zbutjes së varfërisë. Një pjesmarrje më e lartë e tyre në biznes sjell tejkalimin e ndarjeve brenda shoqërisë dhe një jetë më të mirë për të gjithë.

Gratë kryesisht në zonat rurale po shohin gjithnjë e më shumë mundësinë e angazhimit në bujqësi përmes investimeve. Manjola Hafizi është një prej tyre, e cila ka zgjedhur të kultivojë mjedra në sera, vetëm disa kilometrra larg Tiranës. Për Zërin e Amerikës ajo rrëfen vështirësitë që ka hasur prej 8 vitesh por dhe suksesin e arritur.Në Shqipëri rreth 41 përqind e grave të punësuara, punojnë në sektorin e bujqësisë, i cili ka një ndikim me 19% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe punëson gjysmën e fuqisë punëtore në vend. Ato menaxhojnë rreth 1/3 e ndërrmarjeve, ndërsa në sektorin e bujqësisë dhe sipërmarrjes në peshkim dhe pyje, 17% janë pronare dhe administratore. Manjola Hafizi është një prej tyre, cila ka mbështetur punën e saj në kultivimin e mjedrës në sera, vetëm 20 km larg Tiranës, në afërsi të Prezës. 1.7 ha sera pas 8 vitesh punë të pandërprerë. Por si është ajo këtu. Bujqësia është një sektor që paraqet mjaft vështirësi të cilat shtohen akoma më shumë kur je grua. E mbështetur fillimisht nga fonde të Agjenisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, sot Manjola ja ka dalë ta shtojë me mbi dy herë sipërfaqen e serave.

“Në fillim kemi patur vështirësi, sepse nuk njihej fruti. Kishim shumë probleme me publicitetin derisa njerezit të bëheshin të vetëdijshëm se çfarë ishte mjedra. Sa herë kam thënë çfarë pata unë që i hyra kësaj pune. Njerëzit nuk më kuptonin. Por kisha mbështetës nga pas që nuk më lanë të kthehesha”- thotë Manjola Hafizi, fermere.

Manjola ka kryer studimet e larta në degën menaxhim-biznes. Ajo ndodhet sot këtu, në mes të serave me mjedra dhe së fundi dhe me manaferra të zeza, pas një eksperince pune prej 7 vitesh në një bankë të nivelit të dytë.

“Në vitin 2015 ndjeva nevojën për të bërë diçka ndryshe, për të qenë më afër me natyrën. Të gjithë pa përjashtim, përveç mamit dhe babit tim thoshin -përse e le punën në bankë, përse do rrish të merresh me baltën, me tokën. Por kjo ishte dëshira ime. Arrita t’i bind dhe jam këtu, ku jam sot. Më mirë merrem me bimët se sa me njerëzit”- vijoi Manjola Hafizi, fermere.

Mungesa e fuqisë punëtore është një nga pengesat më serioze në rrugëtimin e Manjolës, ashtu si në disa sektorë të tjerë në ekonominë e vendit. Në muajt e verës, që është dhe piku i punës në vjelje, ky problem ishte dhe më i rëndë. Ajo është nënë e tre fëmijëve nga 3 deri në 14 vjeç. Dy më të rriturit, janë krah saj në shumicën e kohës.

Vështirësitë për Manjolën janë pjesë e rrugëtimit, ndaj dhe kur flet për to e shoqëron gjithmonë me një buzëqeshje të natyrshme.

“Jemi munduar të përthithim moshën e re. Fëmijët që mbarojnë shkollën në qershor. Fëmijët e mi të parët, që nuk mungojnë. Kemi punësuar disa djem të rinj në vjelje. Gratë janë shumë të vështira. Hapja e fasonerive e ka ndërprerë forcën punëtore të grave për fushat e tjera. Pjesa më e madhe janë mobilizuar tek fasoneritë”- u shpreh Manjola Hafizi, fermere.

E megjithatë disa gra të zonës, kanë zgjedhur t’i besojnë dhe jenë krah Manjolës në punët e zakonshme të ditës në serë. Por a janë të prirur fëmijët, të çojnë më tej pasionin e nënës së tyre?

“Ne jemi të gjithë me profesione të ndryshme. Unë kam studiuar për menaxhim biznes, bashkëshorti është mjek onkolog, kunati im është dentist, vëllai inxhinier. Edhe fëmijët e mi duan një profesion, unë nuk imponoj zgjedhjet e tyre, por punën në fermë kanë dëshirë ta kënë si profesion të dytë”- vijoi Manjola Hafizi, fermere.

Manjola ka ditur të tejkalojë në disa momente mungesën e fuqisë punëtore gjatë vjeljes në verë, duke aplikuar disa mënyra që i afron njerëzit me natyrën.

“Gjatë stinës së verës ne kishim shumë fruta dhe nuk i vilnim dot. Bëmë thirrje që njerëzit që donin të vinin të merrnin fruta të mund t’i vilnin vetë. Kishin mundësi të merrnin një enë, të merrnin sa të donin, t’i peshonin dhe t’i blinin me çmim të leverdisshëm, duke hequr kostot e punëtorit. Kjo metodë rezultoi efektive”- u shpreh Manjola Hafizi, fermere.

I ka falur tokës jetën dhe fuqitë e saj dhe shpërblimi vjen nga pak çdo ditë. E zhytur mes bimëve në serë ajo ndjehet si në një familje të dytë. I sheh tek rriten, çelin lule, fruta, dhe me pas të ikin drejt tregut. I gjithë cikli i jetës së bimës në sytë dhe vëmendjen e saj.

“Bimën e shoh si fëmijën tim. Siç rriten njerëzit ashtu rriten dhe bimët. Brenda një viti do rriten, do japin prodhim dhe do ikin. Është si pjesë e familjes”- vijoi Manjola Hafizi, fermere.

1.7 ha sera, por për Manjolën kjo është kështjellë, e ngritur me mund dhe vështirësi. Tani i duhet ta mbajë dhe të ecë para. Nuk është më ajo vajza e bankës, me kalkulime të ftohta përballlë kompjuterit. Tani është e lidhur me tokën, me natyrën, tek të cilat gjen mbështetjen më të fortë për vete dhe familjen. Ndjehet krenare që është fermere dhe që ka arritur të shtojë statistikat e grave pronare të fermave në vend./Zëri i Amerikës

Top Channel

Read Entire Article