Një marrëveshje mes Vladimir Putin dhe Kim Jong-un është zbardhur sëfundmi nga mediat e huaja.
Koreja e Veriut ka dërguar rreth 6700 kontejnerë që transportonin miliona municione në Rusi që nga korriku për të mbështetur atë në pushtimin e Ukrainës.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Won-sik , tha se kontejnerët mbanin më shumë se 3 milionë predha artilerie 152 mm, ose 500,000 fishekë 122 mm.
“Mund të jetë një përzierje e të dyjave dhe mund të thuash se të paktën disa milionë predha janë dërguar. Qindra fabrika të municioneve të Koresë së Veriut po funksionojnë me rreth 30% të kapacitetit të tyre për shkak të mungesës së lëndëve të para dhe energjisë elektrike, por ato që prodhonin predha artilerie për Rusinë po funksionojnë me kapacitet të plotë”, tha Shin, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.
Në këmbim të furnizimit me armë për Rusinë, Shin tha se Koreja e Veriut po merr ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme, si dhe lëndë të para dhe pjesë të përdorura në prodhimin e armëve.
“Duket se ushqimi përbën pjesën më të madhe (të dërgesave nga Rusia), e cila besohet se ka stabilizuar çmimet e ushqimeve në Korenë e Veriut, duke përfshirë edhe nevojat e tjera”, tha Shin.
Rusia dhe Koreja e Veriut janë afruar që nga nga nisja e sulmeve të Moskës mbi Ukrainë në shkurt 2022.
Departamenti Amerikan i Shtetit, tha se Koreja e Veriut i ka dorëzuar Rusisë më shumë se 10,000 kontejnerë municionesh ose materialesh të ngjashme që nga shtatori.
Në këmbim, Koreja e Veriut ka marrë 9,000 kontejnerë që përmbajnë kryesisht furnizime ushqimore, të cilat Shin tha se kanë ndihmuar në stabilizimin e çmimeve atje./vizionplus.tv