Mashtrimi në ujësjellësin e Vlorës, dyshime për skemë kriminale e zhvatje me vendime gjykatash

5 months ago 27

Rreth 100 punonjës dhe ish punonjës të  ujësjellës-kanalizime Vlorë kanë padituar këtë shoqëri në gjykatë, duke kërkuar para shtesë nga marrëdhënia e tyre e punës ndër vite. Deri më tani vendimet e dhëna nga gjykata, që sipas autoriteteve janë të padrejta i kanë shkaktuar një dëm shoqërisë që arrin në miliona euro, ndërsa skema e përdorur është e sofistikuar dhe do të përfundojë në SPAK.

“Ne vlerësojmë një dëm 100 mln lekë të reja që janë pranuar nga gjykata e shkallës së parë Vlorë. Jo të gjitha vendimet janë trajtuar njësoj. Ndaj mendojmë se ka një përzgjedhje selektive në këtë proces. Është një skemë e sofistikuar për të dëmtuar shoqërinë dhe për të ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin e qytetarëve  me ujë të pijshëm. Shumë shpejt do të kemi gati materialin që do ta depozitojmë në SPAK më të gjithë abuzimet që në pretendojmë, që përbëjnë vepër penale dhe që i sjellin dëm shoqërisë”,  tha Klevis Jahaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Ish-juristë, përgjegjës sektori apo individë që kanë dalë në pension, kanë bërë padi duke kërkuar llogaritjen dhe pagesën e vjetërsisë në punë, shpërblime të munguara apo dhe fitim të munguar. Ajo çka e bënë procesin edhe më të komplikuar është ekzekutimi i menjëhershëm i detyrimeve pa i lënë mundësi shoqërisë të ankimojë.

“Këto procese nuk janë rastësore, por është i mirorganizuar. Vlerat që janë kërkuar nga paditësit dhe që janë mbështetur edhe avokatët dhe gjykata i kalojnë disa fish vlerat që ne kalkulojmë si dhe nuk na duket me vend ekzekutimi i detyrueshëm që ka nxjerrë gjykata, pa pritur ankimin në gjykatën e Apelit nga ana e shoqërisë. Paditësit nuk  janë në kushte emergjence për marrë lekët në mënyrë të menjëhershme, duke vendosur shoqërinë në vështirësi të aktiviteti të saj”, tha ai.

Arsyeja pse autoritetet mendojnë se kjo është një skemë e sofistikuar është se po shtrihet dhe në shoqëri të tjera.

“Kemi patur tentative dhe në Fier shoqëri. Vlen të thuhet që janë të njëjtët avokatë. Raste në Fier kanë qenë me ish-punonjës. Po janë rrëzuar”,  u shpreh Jahaj.

Pak ditë më parë zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës me tone të ashpra njoftoi nga Vlora se dosjen do ta dorëzojë në Spak, pasi ka të dhëna të mjaftueshme që skema që po aplikohet po cenon  aktivitetin e shoqërisë, pra furnizimin me ujë të qarkut Vlorë. /vizionplus.tv

Read Entire Article