Në shkollën “Qemal Stafa”, programi “Ekipet Sportive në Shkolla” po ofron një alternativë të vlefshme për të ndihmuar nxënësit të kalojnë më shumë kohë në aktivitet fizik, larg teknologjisë që shpesh prek kohën e tyre të lirë.
“Ne në ekipin tonë stërvitemi 2-3 herë në javë dhe besoj se ka qenë një nga zgjedhjet më të mira për mua duke qenë se kam gjetur shoqërinë, jo vetëm për të kaluar kohën në shkollë por edhe gjatë jetës. Ndihem më e freskët dhe më e lirshme për të folur për të ecur përpara, kam gjetur vetveten dhe për të mbajtur trupin në formë”, thotë Melian Shupuli, një nxënëse.
“Ndihem shumë mirë që jam pjesë e ekipit të shkollës “Qemal Stafa”. Do jap maksimumin për të treguar veten time dhe përfaqësuar si veten si shkollën”, thotë një nxënës.
Mësueset e edukimit fizik për ekipet e basketbollit dhe volejbollit tregojnë gjithëpërfshirjen dhe qëllimin e ekipeve sportive.
“Komiteti Olimpik ka për qëllim zhvillimin e sportit përveç kësaj primare ka sportin për zhvillim. Në këtë rast bëhet për zhvillim e aftësive të ndryshme të këtyre fëmijëve. Për zhvillim bashkëpunimi disipline, vetëkontrolle. Në ekipet sportive kemi dhe fëmijë me aftësi të veçanta, por këta fëmijë kanë aftësi fizike dhe teknike dhe ne i kemi në ekipin tonë”, shprehet Albana Bardhi, mësuese e Edukimit Fizik.
“Qëllimi i ekipeve sportive është zbulimi I talenteve të rinj kalimi në ekipe zinxhirë sipas moshave dhe më pas në ekipe profesioniste”, shprehet Rozeta Shatku, mësuese e Edukimit Fizik.
“Të gjithë fëmijët janë jo të federuar dhe kjo është shumë për tu theksuar. Janë të gjithë amator dhe kemi një gjithëpërfshirje dhe ne urojmë që këtë vit të kemi rezultate edhe më të larta seç kemi patur viteve të tjera”, thotë Majera Meraja, shefe e ekipit lëndor.
Nevila Ismeti, nëndrejtoreshë e shkollës tregon se aktualisht departamenti i edukimit fizik përbëhet nga 10 mësues dhe do të përfaqësohet me 4 ekipe.
“Departamenti i edukimit fizik në shkollën qemal stafa, tashmë i konsoliduar dhe mjaft i plotësuar me një numër prej 10 mësuesish, do të drejtojë dhe sivjet me mbështetjen e komitetit olimpik shqiptar 4 ekipe sportive në shkolla, dy ekipe të volejbollit vajza-djem dhe dy ekipe të basketbollit vajza-djem”, shprehet ajo.
Aktualisht janë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbolli si investim për argëtim dhe shënndet për të rinjtë. /vizionplus.tv