Denis Brajoviç, një ndër emrat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara. Denis Brajoviç është në kërkim pas hetimeve të dosjes “Metamorfoza”.
Ai akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojt të kryer në vitin 2020, në Shkodër.
Zbërthimi i aplikacioneve “Sky” dhe “Encro” zbardhi krimet e kryera, ku u përfshin emra të njohur të botës së krimit. Brajoviç shfaqet duke biseduar me Ervis Martinaj, lidhur me një ngjarje kriminale.
Policia njofton se arrestimi i tij në Emiratet e Bashkuara u bë për llogari të drejtësisë shqiptare, ndaj pritet edhe nisja e procedurave për kërkesë ekstradimi.
“Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ai njihet edhe si anëtar i bandës kriminale së Bajrave që vepron në Shkodër.
Po ashtu, ai rezulton i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër dhe më pas është liruar nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë rreth vitit 2019, duke u lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”./vizionplus.tv/