“Më nxirrni çik bukur se m’i keni shëmtuar ato fotografitë komplet”, deklaroi mjekja Alketa Ymeri.
Në Gjykatën Penale po zhvillohet seanca e masave të sigurisë për mjekët e spitalit të Onkologjikut dhe personat e tjerë të akuzuar se bënin pazare me jetën e qytetarëve që vuanin nga sëmundjet tumorale.
Lexo edhe :
Related Posts
Por ndërsa hynte në gjykatë, mjekja Alketa Ymeri mohoi të kishte shpërdoruar detyrën, duke çuar pacientët tek privati
“Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë! Kurrë në jetën time nuk kam bërë që pacienti të shkojë në spital privat. Pacienti me kancer duhet të trajtohet në spitalin Onkologjik. Duhet të hetohen të gjitha spitalet private për aktivitetin që kryhet. E falënderoj dhe prokurorin për punën që ka bërë, duhet një ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Unë do prononcohem mbrapa, sot kam ardhur të mbroj veten time. Jam komplet e pafajshme! Do sqarohet gjithçka! Në asnjë klinikë private nuk punoj! Një minutë, se më keni mërzitur ju gazetarët. Nxirrini të gjitha, mos i shkurtoni fare. Edhe ato fotot më interesojnë, duhet ruajtur etika. Për atë punë keni mbaruar. Unë e ruaj deri në fund etikën, sidomos me pacientin. Kam dhe pacientë me kancer në familje dhe di çdo gjë se çfarë do të thotë”, deklaroi Ymeri.
Mjekja kërkoi që të hetohet e gjithë struktura e spitalit, por duke mohuar nga ana tjetër që në punën e saj të ketë patur shkelje.
“Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur rrugëtimi, duhet që çdo njeri ta dijë rrugëtimin e pacientin neuroplazik deri në fund. Në spitalin tonë nuk ka shkelje, mund të jetë dikush që i drejton në spitalet private që mund të jenë të punësuar, se mund të jenë të varur nga ekonomia…”, deklaroi mjekja.
Ajo siguroi që do vazhdojë të punojë në Onkologjik, ndërsa pyetjes se pse nuk e ka denoncuar më parë këtë si rast iu përgjigj: Unë nuk jam shteti moj zonjë! Unë përfaqësoj veten time. Unë i di të gjitha këtu. Patjetër që do shkoj në Onkologjik.
Nga ana tjetër mjeku Edmond Gashi refuzoi t’ju përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
“Kam bërë punën time”, tha ai.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u hetua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari.
7 masa sigurie u vendosën pas hetimeve që nxorën në dritë se pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohej shërbimi e në disa raste ata orientoheshin në klinikën private të onkologut Edmond Gashi./vizionplus.tv