Moska arrestoi dy “agjentë ukrainas”: Dhanë informacion mbi sistemet e mbrojtjes të urës së Krimesë

1 month ago 24

Agjencia ruse e sigurisë FSB ka arrestuar dy persona të akuzuar për spiunazh.

Ata akuzohen se i kanë shërbyer shërbimeve sekrete të Kievit, duke marrë informacion nga Krimea, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, njoftuan sot agjencitë shtetërore ruse të lajmeve.

“Autoritetet arrestuan dy agjentë të shërbimeve sekrete ukrainase, të cilët i dhanë informacione për instalimet ushtarake ruse një pale të huaj”, tha shërbimi rus i sigurisë në një deklaratë, cituar nga agjencia ruse e lajmeve TASS.

Njëri prej tyre akuzohet kryesisht për sigurimin e informacionit në lidhje me sistemet e mbrojtjes të urës së Krimesë, e cila lidh gadishullin me Rusinë dhe është shpesh në shënjestër nga Ukraina, sipas agjencive ruse.

Infrastruktura e rëndësishme strategjike u dëmtua nga shpërthimi i një kamioni të ngarkuar me eksploziv në tetor 2022, në një sulm që autoritetet ruse ia atribuuan Kievit.

Ura e Krimesë u sulmua gjithashtu nga dronët e marinës ukrainase në korrik 2023, duke vrarë dy civilë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Arrestimet e njoftuara sot të premten u bënë nga FSB në Krime dhe në qytetin e Sevastopolit, një port i madh në gadishull dhe shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi.

Dy të arrestuarit akuzohen gjithashtu se kanë dhënë informacione për vendndodhjen e trupave ruse ose vendndodhjen e pajisjeve dhe armëve ushtarake./vizionplus.tv

Read Entire Article