Qytetarët po largohen masivisht nga Libani, pas sulmit izraelit kundër vendit të tyre, duke kërkuar strehim në një zonë tjetër lufte, Sirinë.
Të paktën 100,000 njerëz kanë ikur në Siri pas sulmeve ajrore izraelite në Liban, tha sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), një numër që është dyfishuar në dy ditë.
Lexo edhe :
Related Posts
“Numri i njerëzve që kaluan Libanin për në Siri, duke ikur për t’i shpëtuar sulmeve ajrore izraelite – shtetas libanezë dhe sirianë – arriti në 100,000. Eksodi vazhdon”, shkroi Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi në Platformën X.
“UNHCR, sqaroi ai, është i pranishëm në katër pika kalimi për të ndihmuar këta persona, krahas autoriteteve lokale dhe Gjysmëhënës së Kuqe Siriane”.
Të shtunën, agjencia e OKB-së për refugjatët tha se të paktën 50,000 njerëz kishin ikur në Siri. Një ditë më parë, një përfaqësues i UNHCR-së në rajon kishte deklaruar se raporti ishte atëherë 80% sirianë që ktheheshin në vendin e tyre dhe 20% libanezë që largoheshin nga vendi i tyre.
Ushtria izraelite që nga 23 shtatori ka intensifikuar bombardimet e saj në Liban për të lejuar, siç pretendon, kthimin në Izraelin verior të banorëve të zhvendosur nga shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun. Këto sulme çuan në lëvizje të konsiderueshme të popullsisë si brenda Libanit ashtu edhe drejt Sirisë. /vizionplus.tv