Muxhahedinët e strehuar në kampin në Manzë janë të mbrojtur nga Shqipëria dhe sipas kryeministrit Edi Rama, ata nuk do t’i dorëzohen regjimit iranian. Qeveria shqiptare, shpjegoi Rama në New York, do t’i qëndrojë zotimit për t’i mbrojtur muxhahedinët, pavarësisht sulmeve kibernetike që Irani ndërmori ndaj vendit tonë në vitin 2022, në shenjë hakmarrjeje.
“U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përjashtuar personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet të ndajë mendjen se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, po aq inkurajojmë miqtë e strehuar të mos angazhohen në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë”, tha Rama.
Gjatë një eventi të organizuar nga organizatat hebreje dedikuar Shqipërisë, Edi Rama mbrojti idenë se në luftën që po ndodh në Gaza, nuk është Izraeli ai që e ka gabim, por Hamasi.
“Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur e cila, në vend të kërkonte shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të tij përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thoja se Izraeli është gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. E kam të pamundur t’i jap edhe fijen e mundësisë për t’i besuar Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet, në luftën kundër të cilit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa gjej në luftën e ISIS-it apo të nazizmit kundër njerëzimit”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri nënvizoi nevojën për armëpushim mes dy vendeve për të siguruar lirimin e pengjeve. Po ashtu, sipas Rames Hamasi duhet të ketë një përfaqësim të besueshëm politik të mbështetur nga të gjitha vendet arabe në palën palestineze. /vizionplus.tv