Viti i ri shkollor në qarkun e Elbasanit ka nisur me një tendencë shqetësuese të uljes së numrit të nxënësve, një fenomen që është vënë re sidomos në zonat e largëta malore, ku disa shkolla janë bashkuar për shkak të rënies së popullsisë.
Sipas të dhënave të Zyrës Vendore të Arsimit (ZVA) Elbasan, këtë vit ulen për herë të parë në bangat e shkollës 1164 nxënës, 148 më pak se vitin e kaluar, ndërsa në klasën e 10-të janë regjistruar 1190 gjimnazistë, 106 më pak se një vit më parë.
Rënia totale e numrit të nxënësve në këtë qark llogaritet në 2.8%, ose rreth 500 nxënës më pak krahasuar me vitin shkollor 2023-2024.
Aktualisht, numri total i nxënësve në Elbasan është 15,333, të shpërndarë në 64 shkolla, nga të cilat 57 janë publike dhe 7 private. Ndër këto, 26 shkolla ndodhen në zona urbane dhe vetëm 3 në zona rurale. Ndërsa, vetëm një shkollë private operon në një zonë fshati, me pjesën tjetër që ndodhen në qytet.
Tendenca e rënies së numrit të nxënësve është e dukshme në të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, ku rënia varion nga 2.5% deri në 5%.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave demografike, nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë të emocionuar për nisjen e vitit të ri shkollor, me një ndjenjë të veçantë për ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Në Bashkinë e Elbasanit, dy shkolla tërësisht të reja do të hapin dyert këtë vit shkollor, pas rikonstruksioneve të plota që iu nënshtruan, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit e tyre. Këto investime janë një sinjal pozitiv në përpjekjet për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në qark, pavarësisht sfidave me uljen e numrit të nxënësve./vizionplus.tv