Operacionet e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor vazhdojnë për të shtatën ditë, 30 të vrarë

2 months ago 42

Ushtria izraelite vazhdoi sot, për të shtatën ditë radhazi, operacionet e saj në veri të Bregut Perëndimor, ku janë vrarë të paktën 30 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez.

Ushtria nisi më 28 gusht një operacion të madh që e quan “anti-terror” në disa qytete në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku veprojnë grupet e armatosura që luftojnë okupimin izraelit.

“Ka 30 të vdekur dhe rreth 130 të plagosur në Bregun Perëndimor që nga e mërkura e kaluar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Operacioni ushtarak është i përqendruar në qytetin e Jeninit.

Të hënën, ushtria njoftoi se në këtë “operacion antiterrorist” forcat e saj kishin vrarë 14 militantë dhe se ishin arrestuar “25 terroristë”. Sipas ministrisë, 18 persona u vranë në Jenin.

Sot, në një deklaratë, ministria tha se një vajzë 16-vjeçare u vra nga ushtria në Kfar Dan, një fshat nën provincën e Jeninit.

Në Tulkarem, afër Jeninit, ushtria tha të hënën se kishte goditur një grup luftëtarësh palestinezë të cilët “qëlluan mbi forcat e sigurisë gjatë operacionit kundër-terrorist”.

Spitali Tulkarem njoftoi se një djalë 15-vjeçar mbeti i vrarë në këtë sulm, ndërsa babai i tij dhe katër persona të tjerë u plagosën. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, ekipet e tij ofruan ndihmën e parë për disa persona në vend.

Ditën e sotme, forcat izraelite depërtuan në kampusin e Birzeit, pranë Ramallah, dhe sekuestruan sende që i përkisnin këshillit studentor.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, vitin e kaluar në tetor, tensioni është përshkallëzuar edhe në Bregun Perëndimor ku të paktën 637 palestinezë (bazuar në numërimin e OKB-së) dhe 23 izraelitë (bazuar në shifrat zyrtare izraelite) janë vrarë./vizionplus.tv

Read Entire Article