Vetëm një ditë pas ardhjes së gjashtë emigrantëve në kampin e Gjadrit, kanë mbërritur në Lezhë tre deputetë të opozitës italiane.
Ata kanë parë nga afër funksionimin e kampit.
Alfonso Collucci i “Lëvizjes 5 Yjet” e krahasoi ambjentin me një burg ndërsa akuzoi qeverinë Meloni për shpërdorim të taksave të qytetarëve italianë.
“Këtu të duket sikur je jashtë humanizmit. Të mendosh që këto struktura do kushtojnë 800 milionë euro në 5 vite, shto edhe kostot e mirëmbajtjes, dhe 9 milionë euro vetëm për transportin. Për këtë të vjen keq, taksat e italianëve po harxhohen dhe nuk po investohen në Itali për shërbimin e sigurisë në vend, për qytetarët e Italisë. Të vjen keq vërtet, sepse këtu duket më shumë si një mbajtje në burg e këtyre personave, sepse ju kujtoj që e thotë edhe protokolli shqiptar, që këta persona nuk mund të dalin. Pra kemi një formë të rëndë të mbajtjes tyre të mbyllur. Qeveria Meloni hedh paratë e italianëve nga dritarja”, tha Collucci.
Nga ana tjetër deputetja Rachele Scarpa, e Partisë Demokratike, u shpreh se një nga emigrantët u kthye mbrapsht për shkak se u konstatua që vuante nga shëndeti mendor.
“Zbuluam nacionalitetin dhe gjendjen e personit që dje u kthye sërish në Itali dhe bëhet fjalë për një egjiptian. Kishte problem psikiatrike dhe u kthye mbrapsht. Këtu pyesim se si ishte e pamundur mos të vihej re kjo gjë gjatë procesit të verifikimit, para se të hipte në anije”, tha Scarpa.
Të premten me anijen “Libra” erdhën 8 emigrantë, por pas verifikimeve në qendrën e Shëngjinit, u kthyen pas 2 prej tyre./vizionplus.tv