Opozita proteston para parlamentit, pritet bllokimi i seancës nga deputetët që i kanë shpëtuar përjashtimit

9 months ago 21

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bllokojë mbledhjen e parlamentit sot pasdite. 19 deputetët e PD që janë përjashtuar do të tentojnë të hyjnë në sallën e seancave plenare dhe pritet që tensioni të nisë që në hyrje të parlamentit.

Por ky skenar është provuar disa herë dhe ligjvënësit e opozitës nuk ia kanë dalë të kalojnë forcat e gardës së republikës, ndaj pritet që betejën në parlament ta zhvillojnë deputetët që nuk kanë një masë përjashtimi siç janë Flamur Noka e Gazment Bardhi.

Ndërkohë që deputetët që njohin si kryetar të PD Sali Berishën do të qëndrojnë me protestuesit që do të mblidhen para godinës së kuvendit.

 “Sot në protestë gjithë deputetët e përjashtuar. Ne që ende nuk quhemi të përjashtuar do jemi brenda. Do kemi dy beteja sot, një në parlament dhe një jashtë tij”, tha Flamur Noka.

Vendimi për protestë para parlamentit është marrë nga strukturat e PD që drejtohet nga Sali Berisha. Sipas demokratëve ky tubim synon të shprehë revoltën kundër qeverisë për nivelin e korrupsionit e çështjen e inceneratoreve dhe shkeljen e të drejtave kushtetuese të opozitës.

Protesta do të zgjasë deri në orën 18.00 kur demokratët do të zhvendosen tek rruga pranë shtëpisë së liderit të opozitës Sali Berisha./vizionplus.tv

Read Entire Article