Rikthimi i deputetëve të opozitës në Parlament ka ngritur pikëpyetje mbi vijimin të aksionit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha flet për mosbindje civile si rruga e vetme për krijimin e qeverisë teknike, por në anën tjetër kritikët e shohin rikthimin në Kuvend si fillimin e një marrëveshjeje mes palëve.
Për të folur në lidhje me zhvillimet e fundit në politikë, kryesisht me aksionet e opozitës, në eidicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Pranvera Borakaj, ishte në një lidhje të drejtëpërdrejtë analisti Fatbardh Kadilli.
Kadilli tha se opozita ka bërë gjënë e duhur duke u rikthyer në Parlament dhe tha se aksionet radikale janë të dëmshme.
Intervista e plotë:
Pyetje: Edhe pse opozita flet për mosbindeje civile, dje u rikthye në Parlament, si e shikoni këtë sjellje?
Kadilli: Besoj që ka bërë gjënë e duhur sepse vendi i opozitës është në Parlament. Aksionet radikale janë aksione të dështuara që e largojnë opozitën nga qytetarët dhe nga misioni i saj për të bërë opozitë në Parlament. Do ekspozojnë qeverinë dhe të shpallin çfarë janë të zotë të bëjnë apo jo. Pjesa tjetër është një teatër. Nevojat e Berishës për të tensionuar situatën janë nevojat e tij personale, por jo të opozitës. Kur dikush lë vakum dhe largohet nga sheshi politik, do ta zërë vendin dikush tjetër.
Pyetje: Shikoni një ndryshim të kursit politik pas kthimit nga Strasburgu të deputetëve të opozitës?
Kadilli: Jam i bindur që ajo që është biseduar në Strasburg është tjetër nga ajo që thonë këta. Nuk mund të shkosh në Strasburg për të folur për dy vendime gjykate. Takimi më i rëndësishëm ishte me David McAllister, që ishte ai që e detyroi PD të hynte në zgjedhje kur ishte në çadër. Nuk ka asnjë rrugë që të çon në drejtim veçse në ballafaqim elektoral, që kërkon ide, përpjekje. Projekti i Sali Berishës është një projekt i dështuar politikisht.
Pyetje: Opozita ka zhvilluar deri tani dy protesta, mendoni se duhet të vazhdojnë edhe me protesta për të arritur qeverinë teknike?
Kadilli: Parimisht, çdo protestë është e shëndetshme për demokracinë sepse mazhoranca vihet në presion. Protesta bëhet edhe me dijnitet, me qytetari. Kauza ose të afron ose të largon nga qytetari, protesta e parë e largoi PD nga qytetari. Shpresa për një opozitë të suksesshme ende nuk ekziston. Marrëveshjet që ata kanë bërë për kodin zgjedhor u vështirësojnë rrugën partive të reja. /vizionplus.tv