Vidhnin programet e Tring, bllokohen disa transmetues. AMA: Pirateria është krim

3 hours ago 20

Pirateria, si një nga problematikat më të rëndësishme me të cilat po përballet tregu audioviziv në Shqipëri, ka qenë në fokusin e një turi bisedimesh që kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka ndërmarrë në terren me subjektet e ndryshme kabllore në të gjitha qarqet e vendit, me qëllim identifikimin dhe bllokimin e transmetimeve pirate.

Si rezultat i inspektimeve të vazhdueshme nga ekipet e AMA-s,  është bërë i mundur konstatimi i një serveri OTT që ofronte kontent televiziv të palicencuar për Iptv të ndryshme dhe që aksesohej nga rrjeti i brendshëm i një IP-je publike. Server në të cilin, në paligjshmëri të plotë, abonentëve fundorë u lejohej qasja në programacionin dhe kanalet e platformës Tring, përfshirë këtu edhe paketën sportive ekskluzive, Tring Sport.

Kjo nuk është herë e parë që mbartës të IP-ve publike përdoren për transmetime pa të drejta të përmbajtjeve televizive. Edhe me herët ekipet e inspektimit të AMA-s kanë identifikuar e bllokuar transmetues piratë në Sarandë, Vlorë e Fier.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi përmes një postimi në rrjetet zyrtare, u ka bërë thirrje IP-ve publike që të mos heshtin para një fenomeni që po dëmton imazhin e tyre, pasi pirateria është vjedhje dhe vjedhja është krim. Ndaj, nuk mjaftojnë vetëm denoncimet publike apo me përcjelljen e informacionit, përfundoi zonja Krasniqi, me bindjen se bashkëpunimi i pandërprerë me operatorët e ligjshëm do të jetë një ndihmesë e madhe për ta luftuar me sukses këtë fenomen. /vizionplus.tv

Read Entire Article