Orban “injoron” kritikat e BE, takimi me presidentin rus në Moskë

4 months ago 21

Kryeministri hungarez Viktor Orban arriti të premten në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, mes kritikave nga udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Evropian dhe paralajmërimeve se ai nuk mund të flasë në emër të bllokut.

Hungaria mori presidencën e radhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian të hënën. Që nga ajo ditë ai vizitoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në Kiev dhe formoi aleancën “Patriotët për Evropën” me nacionalistët e tjerë të krahut të djathtë.

Tani, ai ka zgjedhur të shkojë në Moskë në një “mision paqeje”, disa ditë përpara takimit të lartë të NATO-s.

“Me një takim të tillë presidenca hungareze përfundon përpara se të fillojë vërtet” tha një diplomat i BE-së.

“Hungaria nuk duket se e ka kuptuar rolin e saj… Skepticizmi i vendeve anëtare të BE-së për fat të keq ishte i arsyeshëm – gjithçka ka të bëjë me promovimin e interesave të Budapestit”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell tha se kryeministri Orban “nuk po përfaqësonte BE-në në asnjë formë” në Moskë.

Pavel Havlicek, studiues në Shoqatën për Çështjet Ndërkombëtare, tha se vizita e kryeministri Orban në Moskjë është shpërdorim i një boshllëku të pushtetit në Bruksel dhe një dëmtim i rrezikshëm i pozicionit të përbashkët evropian.

Kryeministri Orban tha se nuk kishte mandat për të negociuar në emër të BE-së, por se paqja nuk mund të bëhet “nga një kolltuk i rehatshëm në Bruksel”.

“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që lufta të përfundojë me ndonjë mrekulli”, shkroi ai në rrejtin X.

Kryeministri Orban, i konsideruar gjerësisht si partneri më i ngushtë i presidentit Putin në Bashkimin Evropian, ka bllokuar, vonuar ose zbutur vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa treguar se çfarë mund të thoshte kjo për tërësinë tokësore të vendit ose sigurinë e ardhshme të tij./VOA/

Read Entire Article