Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për kërkesën e grupit të deputetëve demokratë për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në njoftimin e dhënë për mediat në përfundim të seancës së sotme, Gjykata Kushtetuese shprehet se ka kërkuar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995, për të vlerësuar nëse marrëveshja e firmosur në Itali mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni është në përputhje me këtë Traktat.
“Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca plenare e radhës të zhvillohet në datën 24 janar në orën 11:30.
Disa ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
Top Channel