Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut është konkluduar me firmosjen e një pakti gjithëpërfshirës të partneritetit strategjik. Marrëveshja u firmos pas disa orësh bisedimesh kokë më kokë mes dy liderëve.
Zëdhënsi i Putin bëri të ditur se marrëveshja e re vjen për shkak të ndryshimeve të thella gjeopolitke në botë dhe se përputhet me të gjitha parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Më herët, dy liderët theksuan rëndësinë e dialogut të fortë strategjik në mjedisin gjithnjë e më të ndërlikuar të sigurisë në mbarë botën.
“Dua të ripohoj se ne do të mbështesim pa kushte dhe të palëkundur të gjitha politikat e Rusisë. Koreja e Veriut shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e plotë ndaj qeverisë, ushtrisë dhe popullit rus në kryerjen e një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë”, tha Kim Jong Un.
“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe të palëkundur për politikën ruse, duke përfshirë edhe në drejtimin e Ukrainas”, tha Vladimir Putin.;
Putin mbërriti në Korenë e veriut, për herë të parë pas 24 vitesh, gjatë mbrëmjes së kaluar.
Lideri rus u prit me nderime madhështore dhe nga turma të mëdha njerëzish që brohorisnin emrin e tij.
Vizita e Putinit vjen në një kohë shqetësimesh në rritje për një marrëveshje armësh nga e cila, Koreja e Veriut i ofron Rusisë municione për luftën në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe në teknologji, për programin e armëve bërthamore dhe rraketave të Phenianit./vizionplus.tv