Rama dhe Hasani në OKB, ministri i Jashtëm flet për fuqizimin e rolit te gruas

1 month ago 29

Liderët botërorë, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani, janë bërë bashkë në Nju Jork, ku do të marrin pjesë në sesionin e 79 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësit do të diskutojnë për disa ditë me radhë për krizat që po përjetojnë vende të ndryshme si Gaza, Ukraina apo Sudani.

Gjatë një takimi, ku në fokus ishte barazia gjinore, ministri Hasani nënvizoi nevojën për politika që nxisin angazhimin e grave në jetën publike.

“Kam parë pasojat e tmerrshme të agresionit rus në Ukrainë dhe efektet e luftës te gratë ukrainase. Kam parë vuajtjet e grave në Gaza, ato po jetojnë në kushte të tmerrshme. Kam parë miliona gra të zhvendosura në Sudan apo edhe diskriminim të grave në Iran. Ne duhet të bëjmë më shumë për të gjithë këto gra sepse kjo është detyra jonë”, tha ministri Hasani.

Ministri Hasani pritet të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.

Po ashtu, ai do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros./vizionplus.tv

Read Entire Article