Rivalët republikanë po ngrenë pikëpyetje lidhur me mprehtësinë mendore të zotit Joe Biden, pas një lapsusi verbal të presidentit amerikan që ka thelluar shqetësimet mes votuesve amerikanë për moshën e tij. Fushata e kandidates Nikki Haley ripublikoi një reklamë me video duke vënë në objektiv moshën e thyer të kandidatëve për president.
Pyetje: Çfarë mendoni, a duhen të testohen politikanët mbi aftësitë e tyre mendore? “Unë besoj se po”, thotë një votuese.
Zyrtarë të fushatës së zonjës Haley thanë se: “Bidenit i mungon kapaciteti mendor për të shërbyer në mënyrë efektive si president”. Jason Miller, këshilltar i fushatës së zotit Trump, tha: “Bideni nuk do të jetë më i mprehtë (mendërisht) në nëntor”. Ekipi i fushatës së zotit Trump tha se: “Joe Biden jo vetëm që shfaq shenja të plakjes, por ai rrezikon sigurinë tonë kombëtare”.
“Kujtesa ime është në rregull….hidhini një sy punës time që kur jam bërë president”, tha zoti Biden.
Të enjten gazetarët ngritën pikëpyetje mbi gjendjen e presidentit pas një raporti të prokurorit të posaçëm lidhur me dyshimet për mbajtjen në mënyrë të paautorizuar të dokumenteve sekrete. Në raport përmenden edhe problemet e presidentit me kujtesën.
Gjatë konferencës së shtypit të enjten, ndërsa zoti Biden foli për përpjekjet për të siguruar ndihma për popullin e Gazës, ai përmendi gabimisht emrin e presidentit egjiptian si “president i Meksikës”.
“Fillimisht presidenti i Meksikës, Sissi nuk donte të hapte portën për të lejuar hyrjen e materialit humanitar”, tha ai.
Është hera e tretë gjatë javëve të fundit që zoti Biden i ngatërron emrat e udhëheqësve botërorë.
Ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit, gabimet e zotit Biden po shtojnë kritikat në mesin e republikanëve që thonë se presidenti nuk është i aftë për të udhëhequr. Kjo ka rritur ankthin e demokratëve për moshën e tij si dhe shkaktuar reagime nga Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti gjatë tre viteve të fundit ka përmirësuar ekonominë, kujdesin shëndetësor dhe vendin”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Gjendja mendore dhe fizike e presidentit Biden kritikohet sa herë që ai bën gafa, i merret goja apo po rrëzohet nga biçikleta. Por për të qenë udhëheqës duhen shumë gjëra të tjera, më të rëndësishme.
“Qeverisja kërkon menaxhimin, ndërtimin e ekipit dhe formimin e koalicioneve. Nuk ka asnjë shenjë që Biden të ketë ngritur pikëpyetje në këto fronte”, thotë William Howell, profesor i politikave amerikane në Universitetin e Çikagos.
Sipas një sondazhi të rrjetit “NBC News” të publikuar këtë javë, 76% e votuesve thonë se kanë shqetësime të mëdha ose të moderuara lidhur me shëndetin mendor dhe fizik të zotit Biden. Vetëm 48% e të anketuarve shprehin shqetësime për zotin Trump.
Në fillim të shkurtit, ish-presidenti iu referua gabimisht rivales së tij Nikki Haley si ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi./voa