Rivalja për kandidaturën republikane Nikki Haley ka vënë në lojë dje mungesën e eksperiencës ushtarake të Donald Trump, teksa ai bëri komentet “e përçmuara” për bashkëshortin e saj me ushtrinë e SHBA, që mungon në fushatën e gruas.
“Kjo është e përçmueshme!” tha dje 52 vjeçarja Haley, duke iu referuar Trump, që në mitingun e Karolinës së Veriut pyeste turmat me tallje se ku ndodhet bashkëshorti i saj, Major Michael Haley.
Trump tha në fjalimin e tij në miting, “[Haley] vjen të më takojë në shtëpi në Florida dhe më thotë, ‘zotëri unë nuk do të kandidoj kurrë kundër teje’”.
“Ajo ishte me burrin. Ku është burri saj tani? Oh, nuk është, është me punë. Çfarë i ka ndodhur burrit të saj?” tha ai.
Michael Haley mungon nga fushata republikane e bashkëshortes që prej qershorit, pasi është dislokuar në Afrikë me xhenierët e divizionit 218.
Haley tha pas komenteve për rrjetin Fox: “Nëse tallesh me veteranët e ushtrisë, tallesh me të gjithë. Kjo është e përsëritur tani, ai i ka quajtur ushtarakët të mbaruar dhe i është shmangur ushtrisë duke thënë se kishte këmbën sëmurë”.
Kjo e fundit i referohej shmangies nga dikur 22-vjecari Trump i shërbimit ushtarak në kohën e luftës së Vietnamit.
Ish-guvernatorja tha se ishte “krenare për punën e bashkëshortit” ndërsa për Trump tha se ‘nuk meritonte patentë drejtimi makine e jo më të ishte president.’
Konflikti mes Trump e Haley vjen teksa kjo e fundit nuk pranon të heqë dorë nga gara megjithëse është shumë pike prapa.
Primaret e Karolinës së Jugut zhvillohen më 24 shkurt.
Top Channel