Rreziku nga skuterat elektrikë, avokati Hoxha: Kanë marrë jetë njerëzish, duhen rregulla shumë rigoroze

4 months ago 24

Numri i përdoruesve të skuterave elektrikë ka ardhur duke u shtuar në vendin tonë. Pavarësisht lehtësisë që të ofrojnë në lëvizje, skuterat shpesh janë kthyer edhe në burim aksidenti.

Avokati Gëzim Hoxha, në një lidhje të drejpërdrejtë me emisionin “7pa5” me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova tha se duhen masa konkrete nga ana e qeverisë në mënyrë që përdoruesit e këtyre mjeteve të edukohen.

Avokati Hoxha: Situata është e përkeqësuar në raport me dy vite më parë. Ekonomia e tregut po ecën me ritme të shpejta, por qeveria nuk po ecën me masa organizative për të siguruar jetën e qytetarëve. Duhet të marrë disa masa, të vendosë të detyrueshme kaskën e tyre, këto mjete të hyjnë të certifikuara në Shqipëri. Skuterat nuk janë shpikje e re, janë prodhuar në vitin 1920. Këto skutera janë shumë të rrezikshme, duhet të jenë të pajisura me një certifikatë. Ato mund të mbajnë një peshë prej 70 kilogramësh, por ne shpesh shohim dy veta të hipur. Duhet të kenë një kufizim për përdorimin e tyre, nuk mundet që një fëmijë 11-12 vjeç të drejtojë një skuter. Pra duhet të ketë disa standarde.

Ka disa forma edukimi, edukimi klasik, edukimi ndërmjet televizionit, edukimi ndërmjet gjobave. Gjobat janë masë edukuese. Shumica e përdoruesve të skuterit kanë patenta, pra ata duhet të kapen dhe t’i hiqen pikë nga patenta. Duhet të trajtohen njësoj si mjetet e tjera. Nëse nuk i trajtojmë kështu ne po i vrasim këta djem. Ajo që më shqetëson është që këto skutera riparohen. Pra gomat origjinale të tyre nuk rrëshqasin, kur ia ndërrojnë gomat ato janë të rrëshqitshme dhe kjo bëhet shumë e rrezikshme. Kanë marrë dhe jetë njerëzish, prandaj duhen rregulla shumë rigoroze./vizionplus.tv

Read Entire Article