Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë të tjera sulme ajrore kundër rebelëve “Houthi” në Jemen. Kështu bëri të ditur ushtria amerikane, e cila tha se përveç objektivave tokësore, u shenjëstruan edhe raketat lundruese.
“Forcat amerikane kryen një sulm në vetëmbrojtje kundër një rakete lundruese, që ishte projektuar për sulm tokësor. Më vonë goditën katër raketa lundruese, të cilat ishin të përgatitura për t’u lëshuar kundër anijeve në Detin e Kuq.”
Veprimi i fundit vjen një ditë pas sulmeve të përbashkëta mes SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që rebelët “Houthi” vijojnë ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Situata e krijuar ka ndikuar kështu negativisht në tregtinë ndërkombëtare.
Sulmet e “Houthi-t” kanë detyruar kompanitë e mëdha të transportit të shmangin rrugën kryesore, duke ndikuar në tregtinë ndërkombëtare dhe duke i detyruar anijet të bëjnë një udhëtim më të gjatë rreth Bririt të Afrikës për të hyrë në Evropë.
Nga ana tjetër SHBA-ja po synon të ndërmarrë sulme të mëtejshme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme. /vizionplus.tv