Duhet të promovojmë produktet dhe traditën shqiptare tek turistët që vijnë nga e gjithë bota, sepse ata kërkojnë dhe duan të zbulojnë se çfarë ofron Shqipëria.
Kështu shprehet Eduard Xhepa, kryetar i shoqatës së turizmit në Durrës, i cili thotë se ka rritje vit pas viti të numrit të turistëve si dhe shtim të strukturave akomoduese, por nevojitet bashkëpunim i të gjithë aktorëve për të pasur garanci dhe sukses të vazhdueshëm në këtë sektor.
“Kemi turistë nga e gjithë bota dhe arsyeja e kësaj është pozicioni gjeografik i vendit tonë, klima, standardet dhe ajo që vendi ynë ofron për të huajt”, thotë Xhepa.
Në lidhje me plotësimin e vendeve bosh në sektorin e hoteleri-turizmit, Eduard Xhepa shprehet se po aplikohet marrja e punëtorëve të huaj dhe procedurat janë lehtësuar ndjeshëm, por përsëri do të jenë punonjësit shqiptarë që do të mbajnë peshën kryesore.
Një nga objektivat kryesore të sektorit të turizmit në Durrës ka qenë zgjatja e sezonit,i cili tashmë po shkon drejt një sezoni jo vetëm me disa muaj gjatë verës./vizionplus.tv