Shpërdorim kolosal me ujin , 64% e sasisë kaloi si humbje në rrjet, nuk u tarifua

6 months ago 23

Gjatë vitit 2023, 64% e sasisë së ujit kaloi si humbje në rrjet, pa mundur që të bëhet tarifimi i tij nga shoqëritë e ujësjellësit. Ky tregues, sipas Entit Rregullator të Ujit, është përkeqësuar në raport me vitin 2022.

“Nuk më lë shije të mirë sepse pikërisht për këta indikatorë bëmë reformën e rajonalizimit të ujësjellësve. Pritej më shumë performancë më mirë, më qasje institucionale dhe organizative, këta indikatorë duhet ë kishin një ndryshim rrënjësor. Fakti që kemi këto të dhëna, tregojnë që akoma ndërmarrjet nuk janë aty ku duhen. Kjo do të thotë humbje ekonomike. Nuk kontrollon territorin, klientët, qoftë qytetarë, qoftë biznese. Ke mungesë të të ardhurash nga tarifat e këtij shërbimi, nuk kanë të ardhura, nuk do të ofrohet shërbim as në sasi, as në cilësi”, thotë Agron Haxhimali nga instituti për bashkitë e Shqipërisë.

Shqetësues për njohës të sektorit është fakti që edhe gjatë vitit të shkuar, mbi 133 mijë klientë rezultojnë pa matës të instaluar, duke u tarifuar në mënyrë aforfe.

“Kjo është e pafalshme, kemi 30 vite që investohen miliona, miliona euro, merren hua nga donator të ndryshëm, qytetarët paguajnë tarifat, kjo është për mua një shkujdesje e theksuar, një çorganizim i organizuar për të mos pajisur abonentët me matës. Në raport me çfarë është investuar, me atë që propagandohet, mungesa e matësve është e pafalshme”, thotë Agron Haxhimali nga instituti për bashkitë e Shqipërisë.

Enti Rregullator i Ujit raporton se në vitin që lamë pas, abonentët u furnizuan më gjatë me ujë, por gjithsesi, për klientët në Kamëz, Vorë dhe Selenicë uji rrodhi në çezma për 4-8 orë/ditë./vizionplus.tv/

Read Entire Article