Shtohen krimet bibernetike, ekspertët: Mbizotërojnë mashtrimet kompjuterike dhe favoret seksuale

8 months ago 9

Nga Esido Barkaj

100 raste të krimit kibernetik janë evidentuar nga policia e Tiranës, krime që për këtë vit kanë pësuar një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Për vitin 2024 deri në këtë momente që po flasim janë evidentuar rrethe 100 vepra penale të krimeve kibernetike. Është një trend që është në rritje për këtë periudhë në krahasim në lidhje me vitin e kaluar, por edhe zbulueshmëria e tyre është thuajse në 95%”, thotë Klodian Bilushi, shef në sektorin e Krimeve Kibernetike.

Të dhënat tregojnë edhe krimet më të përhapura të këtij lloji: ku mbizotërojnë përfitimet monetare apo ato seksuale nga persona që zakonisht fshihen pas profileve të rreme.

 “Falsifikimi kompjuterik, përndjekja online, kemi raste të pornografisë më të mitur. Kemi referuar 4 procedime penale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po i ndjekim me metoda speciale të hetimit. Ka nga ata që kërkojnë favore monetare, ka nga ata që kërkojnë favore seksuale”, shprehet Bilushi.

Këtë vit janë zbuluar dhe 3 raste ku disa grupe kishin arritur që të vidhnin para nga bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë.

 “Janë evidentuar rreth 3 raste të tilla. Nuk është se falsifikonin vetëm kartat, por ndërhynin edhe në të dhënat e bankomate për të ekzekutuar veprimin që ata donin të bënin, pra për të tërhequr lekët. Të tria rastet që kemi evidentuar janë zbuluar si ngjarje”, shprehet ai.

Për vitin 2023, policia e Tiranës ka arritur që të evidentojë 500 raste të krimeve kibernetike, shifër kjo që pritet të jetë më e lartë deri në dhjetor të 2024. /vizionplus.tv

Read Entire Article