Situatë e rënduar në Shkopet e Balgjaj, zjarret përparojnë me shpejtësi, në Lurë e fik shiu

3 months ago 49

Nga Dritan Kurti

Dy vatrat e mëdha të zjarreve të rëna në zonën e Shkopetit në Bashkinë e Matit dhe ajo në Malin e Balgjajt në Bashkinë e Klosit vijojnë të jenë aktive.

Situatë e rëndë mbetet në luginën e Shkopetit ku pasi ishte bërë thuajse izolimi i vatrës së zjarrit me ndërhyrjen e forcave tokësore por edhe helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes, është riaktivizuar në orët e drekës së kësaj të Mërkure.

Ndërkohë zjarri vijon të jetë një rrezik potencial për banesat që ndodhen në Lundre, e Madhesh, pasi banorët e këtij të fundit janë evakuar pasditen e së martës.

Po ashtu, burime nga Mbrojtja Civile pranë Bashkisë së Matit si dhe Shërbimi Pyjor thanë se flakët po përparojnë drejt fshatrave Stojan e Kokërdhok.

Megjithëse në terren janë 80 forca që po punojnë për izolimin e përhapjes së zjarrit, era e fortë po pengon procesin.

Nisur nga këto kushte, kërkohet ndërhyrje e dytë nga ajri me helikopter, pasi fshatrat e tjerë janë të paevakuar.

Situatë e rëndë vijon të jetë edhe në malin e Balgjajt. Sipërfaqja e përshkuar dhe djegur nga zjarri ka arritur në 70 ha.

Edhe në këtë zonë po punohet nga toka per fikjen e zjarrit, por është e pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe temperaturave të larta.

Më me fat në këtë histori mbetet Bashkia e Dibrës, ku mësohet se gjatë orëve të natës së kaluar dhe mëngjesit të sotëm ka patur reshje shirash që kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit në fshatin Gurë-Lurë.

Read Entire Article