Në shkollën “Vaçe Zela” 500 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën zhvillojnë lëndën e teknologjisë së informacionit në SmartLab, nga të cilët 130 prej tyre janë në klasën e parë dhe të dytë.
Nxënësit e klasës së parë tregojnë se për ta lënda është argëtuese, pasi përdorimi i pajisjeve teknologjike nuk është diçka e re për ta.
“Unë përdora formën trekëndësh, rrethor dhe pastaj do të përdorim vijën e drejtë. Më duken normale.”
“Shumë e lehtë nuk është fare e vështirë. Ne kemi marrë trekëndëshin e kemi kthyer. Kemi marrë rrethorin dhe kemi bërë veshë dhe sytë.”
Drejtoresha e shkollës thotë se nxënësit janë përshtatur shpejt me kurrikulën e Teknologjisë së informacionit, duke kaluar pritshmëritë.
“SmartLab janë përdorur për herë të parë vjet dhe sivjet në klasën e parë dhe të dytë. Programet që përdoren përshtaten me programin dhe kurrikulën e shkollës. Një nga programet që përdoren është Code Monkey. Ata dhe argëtohen dhe mësohem me njohuritë e tyre bazë të informatikës. Është mirëpritur nga ta ora u duket më e këndshme, zbaviten. E kanë mirëpritur më mirë sesa mendohej”, tha Enkeleda Gorezi, drejtoresha e shollës “Vaçe Zela”.
Me hapjen e laboratorëve Smart në shkollën “Vaçe Zela” synohet informimi dhe vëzhgimi mbi aftësitë digjitale të nxënësve ku vazhdimësia e tyre pasqyrohet edhe për prindërit në sistemin e Menaxhimit të Informacionit Arsimor.
“Në gjithë shkollën kemi një listë me emrat e nxënësve që spikatin në lëndë të ndryshme. Janë disa nxënës që janë shumë të spikatur në përdorimin e laboratorit sidomos për klasat e dyta, pasi të parat nuk janë përshtatur akoma plotësisht me laboratorët”, shtoi Gorezi.
Shkolla “Vaçe Zela” është një nga 200 shkollat që janë pajisur me 216 laboratorë SMART, duke zgjeruar programin e kodimit, i cili tashmë përfshin 35 mijë fëmijë të arsimit fillor në kurrikulën e re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit./vizionplus.tv