SONDAZHI/ Arrestimet e SPAK, rritet besimi qytetar te institucioni i drejtësisë

2 hours ago 1

“Goditjet” e forta të SPAK dhe GJKKO ndaj krimit organizuar dhe politikës majtas dhe djathtas, ka bërë që të rikthehet besimi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë.

Ndryshe nga retorika politike, perceptimi qytetar se institucionet e drejtësisë po bëjnë një punë shumë të mirë është i lartë.

Më shumë se 60% e qytetarëve besojnë te puna e SPAK dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në një sondazh të bërë publik nga “Qendresa Qytetare”, besimi i qytetarëve në SPAK është rritur me 10% në vitin 2023 krahasuar me atë të një viti më parë.

Në vitin 2022 qytetarët ishin të ndarë sa i përket aksionit të SPAK lidhur me hetimin e më pas gjykimin e dosjeve ku të përfshirë ishin politikanë por edhe anëtarë të botës së krimit.

Gjatë vitit 2022, 50% e të anketuarve besonin se SPAK e ka “seriozisht” luftën kundër korrupsionit, ndërsa 50% mendonin të kundërtën dhe e shihni me skepticizëm punën e bërë nga institucionet e drejtësisë.

Por një vit më vonë, pas disa arrestimesh në politikë, besimi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë është rritur edhe më shumë.

Kujtojmë që vetëm gjatë kësaj jave me urdhër të SPAK janë vënë në pranga ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja dhe ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta, si dhe është dhënë masa detyrim paraqitjeje ndaj bashkëshortes së këtij të fundit, Monika Kryemadhit.

Ndërkohë janë të shumtë politikanët që vijojnë të jenë nën hetim nga SPAK, siç është rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, deputeti i PS Plarent Ndreca si dhe mjaft zyrtarë të tjerë të lartë.

Gjithashtu aktualisht ndodhen aktualisht në burg me vendim të GJKKO ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, si dhe disa ish-kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të adminsitratës shtetërore. /Vizionplus.tv/

Read Entire Article