Histori dhe kujtime të fëmijëve të mbijetuar nga kampi famëkeq i Tepelenës vijnë të përmbledhura në botimin “Dhimbje 5” të autores Fatbardha Saraçi Mulleti.
Kjo kolanë është vazhdimësi e punës për të dokumentuar një nga periudhat më të errëta të vendit, përgjatë 45 viteve të sistemit diktatorial.
“Në 49 u hap kampi i Tepelenës ku aty bashkë me nënat janë dërguar dhe nënat e foshnjat, aty madje kanë lindur edhe foshnja, një pjesë e të cilave kanë ndërruar jetë nëpër burgje. një pjesë e tyre fatmirësisht kanë arritur të mbijetojnë dhe bashkë me to kam sjellë historitë e tyre në këtë botim”, thotë Fatbardha Saraçi Mulleti.
Të hedhësh mbi letër rreshta të tërë për dhimbje dhe histori tronditëse nuk është e lehtë, por autorja 84-vjeçare i ka nisur shkrimet e këtyre historive si reflektim i asaj çka ka përjetuar edhe vetë.
“Që nga fëmijëria ime i kam kaluar këto emocione u rrita me to dhe u plaka me to e vetëm përmes së shkruarës mund t’i ruash ato. ndaj i kam sjell sot përmes këtyre librave kujtese”, shton Mulleti.
Jeta e vështirë e Prena Palit dhe dy vajzave të saj, në kampin e internimit në Tepelenë… arratisja e bashkëshortit dhe betejat për mbijetesë, nëpër kampet komuniste, është një nga historitë e këtij libri. Atëherë vetëm 2 vjeç, Leze Koçeku tregon për torturat që kaloi familja dhe rritjen në kampe.
“Shtatë vjet e gjysmë s’kemi parë dritë më sy, kanë vdes nga 35 veta dhe per dit të tëra si merrnin kufomat”, thotë Leze Koçeku, ish e internuar në kampin e Tepelenës.
Fatbardha Saraçi Mulleti, studiuese, shkrimtare dhe një ish-e përndjekur politike, mbesa e Qazim Mulletit, përmes botimeve të saj, ka koleksionuar dhe pasqyruar një periudhë për të cilën historia jonë ende ka dritëhijet e saj. /vizionplus.tv