Kandidati republikan për president, Donald Trump tha sot se do të punojë me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës së tyre, duke qëndruar përkrah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky përpara takimit të tyre në Nju Jork.
Duke folur para gazetarëve në Trump Tower, Zelensky tha se donte të diskutonte me Trump “planin e tij fitues” për Ukrainën. Trump lavdëroi Zelensky, por tha se ai gjithashtu ka një marrëdhënie solide me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë (me Zelensky) dhe unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, siç e dini, me Presidentin Putin”, tha Trump.
“Dhe unë mendoj se nëse fitojmë, mendoj se do të gjejmë një zgjidhje (për luftën) shumë shpejt”, shtoi ai, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.
Takimi Trump-Zelensky vjen pasi ish-presidenti republikan kritikoi presidentin ukrainas gjatë fushatës dhe shprehu dyshime se aleati i SHBA-së mund të fitojë luftën me Rusinë.
Zelensky, i cili ndodhet në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u takua të enjten me presidentin demokrat Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten demokrate për presidencën në zgjedhjet e 5 nëntorit. /vizionplus.tv