Numri i turistëve që pushojnë në Shqipëri për muajin qershor është në rritje prej gati 40% krahasuar me vitin e kaluar. Dyndja më e madhe e vizitorëve është në bregdetin e Durrësit.
“Ka një rritje goxha të madhe sepse janë të gjithë hotelet thuajse të ezauruar. Rritja është 30-35-40%. Ne akoma jemi në atë tradicionalen, zona më e frekuentuar sot mbetet Durrës, Kavajë. Kjo ndodh për shkak të aeroportit të vetëm që ka Shqipëria, për shkak të strukturave moderne akomoduese, por edhe për shkak të shërbimit që ofrojnë këto struktura. Më pas janë Saranda, Vlora, Shëngjini dhe Velipoja. Për fat të mirë ne kemi turistë që ndoshta kanë edhe vite që vijnë, janë ata nga Polonia që vijnë prej 5 vitesh. Edhe turistët nga vendet baltike u bënë 2 ose 3 vite që vijnë”, tha Rrahman Kasa nga Unioni turistik shqiptar.
Në Vlorë ndërkohë, strukturat hoteliere vënë re një rritje më të ulët të turistëve gjatë këtij muaji, në raport me sezonin pranveror.
“Në qershor kemi një rritje me 10%, ndryshe nga sezoni i pranverës kur rritja shkonte deri në 40%. Ishte e pritshme që të kishim një rritje të vogël, për shkak të turistëve familjarë, është e pritshme që turizmi familjar masiv të vijë në korrik dhe gusht”, tha Anisa Ceno, operatore turistike në Vlorë.
“Vitin që vjen dhe në vazhdim mund të ketë zhvillim të mëtejshëm të turizmit në Vlorë, por për fat të keq Vlora nuk ka shumë njësi akomodimi. Mungojnë strukturat akomoduese të mëdha, që t’i përgjigjen kërkesës së operatorëve”, tha Kasa.
“Tani edhe organizatat jofitimiprurëse dëshirojnë të bëjnë trajnimet e tyre në qytetin tonë dhe kemi pasur disa kërkesa nga Italia, Danimarka dhe vendet e Lindjes. Kemi rritje të mëtejshme të tregut italian, tregu lindor nuk na ka munguar. Në rritje të konsiderueshme janë Spanja dhe Holanda”, tha Emanuel Hazizaj, menaxher hoteli në Vlorë.
Tur-operatorët shpjegojnë se një pjesë janë vizitorë që rikthehen për të disatin vit radhazi në vendin tonë, por shqetësim për ta mbeten mungesa e infrastruktura dhe orët e zgjatura që kalojnë në trafik si edhe punimet që kryhen gjatë sezonit veror./vizionplus.tv