Veliaj dhe Spiropali në Vorë: Tre prioritetet tona të fitores në 2025

1 month ago 32

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, rritja e pagave dhe rritja e pensioneve janë tre prej prioriteteve të Partisë Socialiste në mandatin e ri qeverisës. Nga Vora, ku zhvilloi një takim me strukturat socialiste, së bashku me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se shqiptarët nuk duan të kthehen më pas.

“Ne duhet të diskutojmë a do të vazhdojmë të ecim përpara apo do të kthehemi mbrapa? Do vazhdojmë të shkojmë drejt BE-së apo do të rrasemi të gjithë në ballkonin e katit të tetë? Unë besoj se përgjigja është shumë e saktë për të gjithë: Do të vazhdojmë të shkojmë përpara me Partinë Socialiste, me skuadrën tonë, me Edi Ramën dhe me të gjithë energjinë e qytetarëve të Vorës dhe gjithë Shqipërisë, që duan që gjërat të shkojnë përpara”, tha ai.

Veliaj komentoi edhe vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare për reformat e ndërmarra nga Shqipëria vitet e fundit dhe afrimin me familjen evropiane. “Po diskutohet në gjithë Ballkanin fakti që Shqipëria ha bukë veç, pra është trajtuar më vete, për faktin se ka bërë më shumë reforma, në kohën më të shkurtër, dhe është distancuar shumë nga të tjerët, që deri dje ishin çiftuar me ta, si grup vendesh që do integroheshim bashkë. Sot, falë lidershipit të Edi Ramës dhe PS, Shqipëria është numër një në Ballkanin Perëndimor. E kemi filluar të fundit, tani jemi të parët dhe kjo është arsyeja pse BE ka vendosur që Shqipërisë do i hapë dritën jeshile, që të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që bëhet anëtar i BE, dhe prandaj na duhet ky mandat”, tha ai.

Drejtuesi politik nënvizoi se sa herë vendi drejtohet nga kundërshtarët politikë të PS, Shqipëria vishet me te zeza. “Ju kujtohen sa herë kanë qeverisur ata? Ju kujtohen skemat piramidale, vëllavrasja që ndodhi në 97-98? Ju kujtohet 21 janari? Po Gërdeci këtu në Vorë? Ju kujtohet që sa herë kanë qeverisur ata, uniforma e Shqipërisë ka qenë e gjitha e zezë. Në zi për një arsye apo për një tjetër. Në 21 janar vriteshin njerëz me plumba në mish, ndërkohë Shqipëria sot është realitet krejt tjetër. Nuk po them se është perfekte, por është realitet krejt tjetër”, deklaroi ai.

Veliaj tha se sot PPB e Shqipërisë është dyfishuar, ndërsa janë rritur edhe pagat, edhe pensionet. “E kemi marrë arkën e Shqipërisë, pra çfarë prodhon Shqipëria, 12.7 miliardë; sot është mbi 25 miliardë. Do të thotë se jemi në kushtet që, ajo që ka nisur kryeministri dhe qeveria, me planin për të rritur pensionet, do të bëhet realitet me fitoren tonë në 2025. Sot nuk ka nevojë që të bëjmë fjalime dhe retorikë sepse mësuesi e ndien në xhepin e tij pagën mesatare 900 euro. Sot kush është në profesionet e prekura nga rritja e rrogave, e di fare mirë se jo vetëm që nuk janë rritur taksat për biznesin e vogël, por janë bërë zero deri në 2029. Tre prioritetet që kemi për të futur Shqipërinë në BE, për të rritur ndjeshëm pensionet dhe për të rritur ndjeshëm rrogat, janë tre arsye për të cilat duhet të dalim në fushatë, të marrim rezultatin e zgjedhjeve të fundit, ta çojmë edhe më lart, për të thyer një rekord në 2025”, deklaroi Veliaj.

Read Entire Article