Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije lajmin e transformimit në hapësira dinjitoze, të dy hapësirave sportive në kryeqytet. Veliaj tha se bëhet fjalë për stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
“Duam të ecim me projektin e 100 fushave sportive dhe kemi planifikuar që, dy investimet e radhës të jenë stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Kemi një mundësi për të thënë se përtej bindjeve politike, të bëjmë edhe dy hapësira të reja model, ku ke qejf të shkosh, siç është bërë Arena Kombëtare. Unë jam me parimin se njeriu kur punon për qytetin, duhet të ketë qef të shkojë te stadiumi sepse thotë: Unë ngrita kartonin jeshil për këto investime”, tha Veliaj.
Mandej, Veliaj shtoi se Arena Kombëtare është një histori e jashtëzakonshme suksesi, si arkitekturë, si biznes dhe si ekonomi, ndërsa tha se Bashkia Tiranë ka për qëllim të bëjë të njëjtën gjë edhe te stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.
“Ne do ta fillojmë një proces bashkëpunimi me projektin e rijetëzimit të stadiumit “Selman Stermasi” për të pasur një hapësirë ekonomike të ngjashme me atë që kemi te Arena Kombëtare dhe pastaj, me t’u përgatitur do të vazhdojmë dhe me pallatin e sporteve “Asllan Rusi”. Një pallat sportesh që nisi si hangar është totalisht i amortizuar, ndaj kemi një shans për të pasur dhe aty një investim serioz. Ashtu siç kemi pasur ndeshje ndërkombëtare te Arena Kombëtare, finalja e UEFA Conference League që do ishte e pamundur me stadiumin e vjetër që kishim”, u shpreh Veliaj./vizionplus.tv