Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon Ilir Selmani: Jam i pafajshëm, janë paguar para për të penguar hetimin

8 months ago 9

Ilir Selmani, i dënuar më 28 vite burg për pjesëmarrje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ka dëshmuar në gjykatë për procesin ndaj vëllezërve Duka.

Selmani ka thënë se është i pafajshëm dhe se provat e paraqitura ndaj tij janë manipuluar nga zyrtarë policorë.

Sipas tij, janë paguar para për të penguar hetimin.

DËSHMIA 

Ilir Selmani: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qera. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoi Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes pashë që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos.

I drejtohet prokurorit: Çdo provë është e manipuluar nga dy oficer policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjuar përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet.

Prokurori Behar Dibra: Shumë mirë, të inkurajojmë ta denoncosh rastin!

Ilir Selmani: Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët llotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshme unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara.

Santiago Malko u ekzekutua me breshëri plumbash teksa ishte duke lëvizur me automjetin e tij në zonën e Freskut në Tiranë, më 28 gusht 2019.

Në këtë ngjarje dyshohet se janë të përfshirë Blendi Teta, vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Ervis Metani, Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Aga, Aleksander Maxhaku, si dhe Fatmir Hyseni, i njohur ndryshe me pseudonimin Doqja./vizionplus.tv

Read Entire Article